LAJM I FUNDIT/ GJKKO dënon gjashtë zyrtarë dhe ish-zyrtarë

Çështja lidhet me tre procedura tenderimi të zhvilluara nga Bashkia Divjakë, me një vlerë totale prej rreth 1 milion eurosh. Sipas SPAK, hetimet zbuluan parregullsi në procedurat e prokurimit publik, të cilat dyshohej se cenonin konkurrencën dhe favorizonin operatorë të caktuar ekonomikë. Hetimi nisi si vijim i një fraksioni të shkëputur nga një dosje tjetër penale.

Procesi u zhvillua me gjykim të shkurtuar. Për secilin prej të pandehurve, gjykata caktoi fillimisht dënimin me 1 vit burg, i cili u ul në 8 muaj burgim për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Për Dorjan Spahon, Sara Xhepën dhe Roklejd Malkon, GJKKO vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe zëvendësimin e tij me 120 orë punë në interes publik, që duhet të kryhen brenda gjashtë muajve nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës.

Ndërsa për Fatos Veliun, Elbareta Nishicën dhe Vojsava Leçinin, gjykata vendosi pezullimin e dënimit me burg dhe vënien në provë për 16 muaj, si edhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vjet.

Gjykata vendosi gjithashtu që shpenzimet proceduriale të përballohen në mënyrë solidare nga të gjashtë të dënuarit.

Vendimi nuk është i formës së prerë dhe mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit të Posaçëm brenda 15 ditëve.

Leave a Comment